Prokuroria hidhërohet me avokatët që komentojnë akuzën për zjarrin në Koçani
Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ndaj deklaratave të disa avokatëve që kanë komentuar publikisht aktakuzën për zjarrin në disko-klubin “Puls” në Koçan, duke i cilësuar si të pabazuara dhe në kundërshtim me Kodin e Etikës Profesionale të Avokatëve.
Sipas Prokurorisë, avokatët kanë bërë parashikime të paarsyeshme për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, pa qenë të njohur me provat apo me dinamikën e gjykatës, duke dëmtuar reputacionin e sistemit gjyqësor. Institucioni thekson se gjykatat po veprojnë rregullisht dhe se prokurorët bazohen vetëm në prova.
Në reagim veçohet paraqitja e avokates Suzana Joshevska Atanasovskas në emisionin “Studio 10” të TV24 më 8 tetor, ku ajo sipas Prokurorisë ka dhënë “të pavërteta” mbi materialin provues, duke shkelur parimet etike dhe duke kërkuar publicitet të papërshtatshëm.
“Vendi për përballjen e provave është salla e gjyqit. Përpjekjet për të ndikuar në proces përmes deklaratave publike vetëm e dëshmojnë forcën e provave të siguruara nga Prokuroria,” thuhet në reagim.
Prokuroria kërkon nga kryetari i Odës së Avokatëve të apelojë për respektimin e standardeve profesionale dhe paralajmëron se do të kundërvihet çdo përpjekjeje për zvarritje apo komprometim të procesit.
Aktakuza për rastin “Puls” është konfirmuar nga gjykata dhe ka hyrë në fuqi./VOXAL/