Princi Andrew do të hiqet nga linja e trashëgimisë shkaku lidhjeve me Epstein
Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e miratimit të një ligji që do ta largonte Prince Andrew nga linja mbretërore e trashëgimisë, që do të thotë se ai nuk do të mund të bëhet kurrë mbret. Ministri i Mbrojtjes Luke Pollard deklaroi për BBC se kjo konsiderohet një masë e duhur, pavarësisht se si do të përfundojnë hetimet policore.
Andrew, vëllai i King Charles III, vazhdon ende të figurojë në radhën e trashëgimisë, edhe pse prej kohësh është tërhequr nga detyrat mbretërore dhe i janë hequr shumica e roleve publike.
Prej vitesh ai është përballur me kritika për lidhjet e tij me financuesin e dënuar për trafikim seksual Jeffrey Epstein dhe për padinë civile të ngritur nga Virginia Giuffre, e cila përfundoi me marrëveshje jashtëgjyqësore pa pranimin e fajësisë. Këto çështje dëmtuan rëndë imazhin e tij publik.
Megjithatë, hetimi më i fundit policor nuk lidhet me qëndrimin e tij në ishullin e Epstein.
Ai u mor në pyetje për disa orë nën dyshimin për sjellje të pahijshme në detyrë publike, që sipas hetuesve lidhet me trajtimin ose dhënien e dokumenteve zyrtare të ndjeshme.
Andrew i ka mohuar vazhdimisht të gjitha pretendimet, ndërsa autoritetet britanike po shqyrtojnë nëse duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm edhe në aspektin kushtetues për ta larguar nga linja e trashëgimisë.VOXAL