Presidentja siguron: Nuk ka kërcënim për sigurinë në RMV
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, presidentja Siljanovska Davkova, deklaroi se vendi ynë nuk është i ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë dhe aktualisht nuk ka rrezik për sigurinë në vend dhe në rajon. Ajo nënvizoi se institucionet janë të koordinuara dhe po e ndjekin me kujdes situatën.
“Ekziston sistem paralajmërimi, institucionet po e monitorojnë gjendjen, po koordinohen dhe prej andej vjen ky vlerësim për stabilitet dhe siguri”,u shpreh presidentja.
Ajo shtoi se organet kompetente do të vazhdojnë ta monitorojnë me kujdes situatën dhe të shkëmbejnë informacione me partnerët nga rajoni.
“Jemi të koordinuar edhe me organet në rajon dhe do të ndajmë informacione,”theksoi ajo.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, morën pjesë kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski.
Në takim morën pjesë edhe ekspertët Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vllado Spiridonov.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i cili ndodhet në udhëtim zyrtar, iu bashkua mbledhjes përmes video-lidhjes.
Të pranishëm ishin edhe drejtoresha e Agjencisë për Zbulim Gabriela Jakovleva, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski.