Presidenti i KE-së, Antonio Kosta sot në Shkup do të takohet me Mickoskin: Mosmarrëveshja me Bullgarinë një nga temat kryesore
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, do të vizitojë vendin këtë pasdite, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Siç raportohet nga shërbimi qeveritar për shtyp, kryeministri Mickoski do të ketë takim kokë më kokë me Kostën, e më pas do të ketë takim midis delegacionit qeveritar dhe delegacionit të udhëhequr nga Presidenti i Këshillit Evropian. Mickoski dhe Kosta do të mbajnë më pas një konferencë të përbashkët për shtyp në Qeveri, transmeton Portalb.mk.
Në pritje të vizitës së Kostës në vend sot, kreu i diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, dje, duke iu përgjigjur pyetjeve, deklaroi se Qeveria mbetet në qëndrimin e saj në lidhje me garancitë nga BE-ja se nuk do të ketë më kërkesa që lidhen me historinë, identitetin dhe kulturën e popullit maqedonas nga Bullgaria në procesin e negociatave të pranimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mosmarrëveshja me Bullgarinë, siç deklaroi ministri, sigurisht që do të jetë një nga temat e diskutimit me Presidentin e Këshillit Evropian, i cili, sipas Mucunskit, deri më tani ka qenë një faktor proaktiv dhe ka bërë disa përpjekje për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje. I pyetur nëse do të ketë ndonjë dokument non-paper në tryezë, kreu i diplomacisë së Maqedonisë tha se aktualisht po diskutohen ide që duhet të çojnë në një zgjidhje dinjitoze, gjë që, siç tha ai, nuk ishte rasti kur vendimet për këtë çështje u morën nga qeveria e mëparshme.
Kjo u përsërit nga kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat dje, duke deklaruar se mesazhet e Qeverisë në lidhje me çështjen me Bullgarinë janë të qarta dhe të argumentuara mirë.
Një tjetër temë që pritet të diskutohet me Kostën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat është letra e kancelarit gjerman Friedrich Merz, në të cilën ai propozon zgjidhje inovative për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke vendosur një fokus të veçantë në Ukrainë, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë. Duke komentuar letrën, Mucunski tha se vendi është i gatshëm për të gjitha zgjidhjet që çojnë në anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, që “padyshim është qëllimi ynë përfundimtar”.
Presidenti i Këshillit Evropian ka nisur vizitën nën Ballkanin Perëndimor që nga dje, ku, pas takimit me udhëheqësit e rajonit, do të bashkë-kryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Tema e bisedimeve të Presidentit të Këshillit Evropian me udhëheqësit e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jenë mundësitë dhe sfidat që lidhen me zgjerimin, integrimin gradual, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin.
“Turneu im i dytë nëpër Ballkanin Perëndimor dërgon sinjal të qartë – angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është këtu. Tani është koha për të dhënë rezultate”, tha Kosta para vizitës së tij në rajon.
Ai do të mbërrijë në Shkup nga Tirana, ku do të takohet me udhëheqësit atje, dhe vizitën e tij e filloi dje nga Sarajeva e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Dje në Sarajevë, Kosta tha se Bosnja dhe Hercegovina nuk është më vendi që ishte në vitin 1995 dhe se është disa hapa larg fazës së saj të ardhshme në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje autoriteteve vendase të përshpejtojnë reformat, përkatësisht të emërojnë një kryenegociator me Bashkimin Evropian dhe të miratojnë dy reforma që lidhen me sistemin gjyqësor, në mënyrë që të mos rrezikohet që vendi të humbasë qindra miliona euro nga fondet evropiane.
Nesër, Kosta do të vizitojë Prishtinën, ndërsa të enjten do të vizitojë Beogradin. Ai do ta përmbyllë turneun me një vizitë në Mal të Zi, ku më 5 qershor do të bashkëkryesojë samitin BE-Ballkani Perëndimor, tema kryesore e të cilit është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.
Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.