Policia serbe sulmon studentët protestues, thirrje për dalje masive në rrugë
Studentët në bllokadë në Serbi sonte kanë thirrur qytetarët të dalin në rrugë, pasi mbrëmë mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) sulmuan protestues në Vërbas dhe Baçka Palanka. Si pjesë e aksionit, janë paralajmëruar tubime në të gjithë vendin, dhe lokacionet e protestave përfshijnë hapësira para shtabeve të SNS-së, si dhe stacione policie në disa qytete.
“20:00. Zgjohuni” – me këtë mesazh, studentët në bllokadë përmes profilit të tyre në Instagram u kanë bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestave.
Protestat sonte po mbahen në Beograd, Lazarevac, Suboticë, Nish, Kragujevac, Çaçak, Smederevë, Shabac, Ruma, Gornji Milanovac, Kraljevë, Leskovac, Sombor, Aranxhelovac, Paraçin, Prokuplje, Uzice, Aleksinac, Pirot, Kikindë, Sremska Mitrovicë, Vranjë, Novi Sad, Zrenjanin dhe qytete të tjera.
Në Novi Sad, rreth orës 21:00, ndodhi përplasje mes një grupi qytetarësh dhe studentësh që kishin nisur një marsh proteste, dhe mbështetësve të SNS-së. Kur protestuesit arritën para hapësirave të partisë, rreth gjashtëdhjetë mbështetës të SNS-së filluan të hedhin mjete piroteknike, fishekzjarrë, si dhe shishe e gurë ndaj protestuesve, njoftoi agjencia Beta.
Si reagim, një pjesë e protestuesve hodhën sende drejt hapësirave të SNS-së, pas çka ndërhyri policia. Megjithë ndërhyrjen, simpatizantët e SNS-së vazhduan të hedhin mjete piroteknike ndaj të tubuarve.
Në qytetet e tjera situata është e tensionuar – kordonë policie ndajnë protestuesit nga mbështetësit e SNS-së.
Sonte, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u drejtohet mbështetësve të tij në një miting në Beograd.