Policia do të përdorë dronë për sigurinë e vendvotimeve
Përderisa partitë politike e kandidatë e pavarur po shfrytëzojnë orët e fundit të fushatës zgjedhore për të prezantuar projektet e tyre, KSHZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në të gjitha 80 Komisionet Komunale zgjedhore dhe në Qytetin e Shkupit.
Një total prej 4,613,438 fletëvotimesh u shtypën për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe të këshilltarëve. Fletëvotimi më i gjatë është gjysmë metri dhe të gjitha janë prodhuar me standarde të larta sigurie dhe elementë mbrojtës, me qëllim sigurimin e fshehtësisë së votës.
Lista e votuesve përfshin 1,832,415 votues, të cilët do të votojnë në 3,480 qendra votimi. Nga këto, gjashtë nuk do të jenë të hapura, pasi nuk ka banorë me të drejtë vote në ato komuna.
“Materiali zgjedhor i besueshëm përbëhet nga të gjitha certifikatat e printuara të listave zgjedhore, certifikatat e printuara të ekzemplarëve origjinal të procesverbaleve nga secili vendvotim dhe nga secili Komision Komunal Zgjedhor sikurse të gjitha fletëvotimet. Kemi saktë 254,262 fleta të listave zgjedhore dhe certifikata e posaçme të listave zgjedhore, 8,692 procesverbale origjinal si material i besueshëm zgjedhor për vërtetimin e rezultateve zgjedhore dhe 8,330 ekzemplarë të tjerë”, tha Boris Kondarko, Kryetar i KSHZ-së .
Përveç fletëve të votimit, komisionet zgjedhore komunale po marrin edhe materiale të tjera zgjedhore – ekrane, pajisje për leximin e të dhënave biometrike dhe materiale të tjera të nevojshme. Procesi po monitorohet nga vëzhgues nga partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe rregullsisë së procesit zgjedhor.
Shpërndarja u krye nga 17 ekipe të KSHZ-së, dhe transporti i materialit të besueshëm zhvillohet nën masa të shtuara sigurie me praninë të policisë.
Nga Ministria e Brendshme, thonë se janë përgatitur që procesi zgjedhor të zhvillohet në ambiente të sigurta dhe për herë të parë përdoren edhe dronët e policisë si vëzhgim i vendvotimeve edhe nga ajri.
“Sipas vlerësimeve të bëra dhe planeve të përcaktuara, në ditën e zgjedhjeve, zyrtarët policiorë do të jenë të pranishëm pranë vendndodhjeve të qendrave të votimit, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale dhe teknike, ekipe mobile, si dhe do të përdoret edhe teknologjia moderne – dronë për kontrollin ajror me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast incidentesh”, theksoi Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.
Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe partive që të kontribuojnë në një atmosferë paqësore dhe demokratike, të respektojnë udhëzimet e oficerëve të policisë dhe të përmbahen nga çdo aktivitet që mund të prishë procesin zgjedhor. Gjatë ditës së zgjedhjeve, MPB do ta informojë publikun në kohë reale për zhvillimin e procesit zgjedhor.