(VIDEO)Plagosja e mjekut në qendër të Kumanovës, prokuroria hedh poshtë motivet politike
Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur sot pasdite në qendër të Kumanovës, ku është plagosur mjeku dhe kandidati për këshilltar në komunën e Likovës nga radhët e BDI-së, dr. Zekirija Shahini. Ngjarja ka ndodhur pranë ndërtesës së Fondit Pensional, në një zonë të frekuentuar ku ndodhen disa institucione publike.
Sipas të dhënave të MPB-së, ndaj Shahinit është shtënë nga një automjet në lëvizje, ndërsa ai po udhëtonte me makinën e tij të tipit “Golf”.
“Në orën 13:54 në SPB Kumanovë është raportuar se dy persona nga një makinë në lëvizje kanë shtënë me armë zjarri drejt automjetit të drejtuar nga Z.Sh (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës. I plagosuri është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Ekipet hetimore kanë dalë në vendngjarje, ndërsa rruga “11 Oktomvri” është bllokuar përkohësisht. Policia po kërkon autorët e sulmit dhe po mbledh prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës konfirmojnë se plagosja nuk ka shenja për motive politike.
“Dy prokurorë publikë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Sipas të dhënave fillestare, nuk ka elemente që të tregojnë për motive politike, por të gjitha rrethanat po verifikohen”, njoftuan nga Prokuroria.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Koalicioni VLEN e dënoi ashpër sulmin dhe bëri thirrje për qetësi e përgjegjësi.
“Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Apelojmë që rasti të mos keqpërdoret për qëllime politike dhe autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkaq, BDI, partia e cila e ka Shahinin në listën e saj për këshilltarë në Likovë, ka pezulluar aktivitetet e fushatës për ditën e sotme.
Mjeku Zekirija Shahini aktualisht po trajtohet në spital dhe sipas burimeve mjekësore, gjendja e tij është stabile. Hetimet për rastin vazhdojnë.