Pirja e duhanit në lokale, rregullat e reja gati / Qeveria të martën shqyrton ndryshimet
Propozim-ndryshimet e ligjit për pirjen e duhanit do të gjenden në seancën e Qeverisë të martën, më 24 mars. Këtë e paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, i cili tha se zgjidhja e re ligjore sjell ndryshime që duhet të mundësojnë ndarje më të qartë mes hapësirave për duhanpirës dhe joduhanpirës në objektet hotelierike.
Ndër risitë kryesore janë tarraca me të paktën dy anë të hapura, çati të lëvizshme, si dhe hyrje të ndara për pjesët për duhanpirës dhe joduhanpirës. Sipas njoftimeve, këto zgjidhje janë rezultat i harmonizimit mes ekspertëve të shëndetësisë dhe hotelierëve, proces i cili, siç thekson ministri, ka ndikuar në shtyrjen e ndryshimeve.
Aliu thekson se është bërë një analizë e detajuar për kushtet nën të cilat një hapësirë mund të konsiderohet zonë për pirje duhani ose zonë pa duhan. Sipas profesionistëve të shëndetësisë, tarracat me hapje të mjaftueshme mundësojnë qarkullim natyror të ajrit, gjë që e ul rrezikun për joduhanpirësit, ndërsa njëkohësisht është marrë parasysh edhe interesi ekonomik i hotelierëve.
Qëllimi i ndryshimeve është të sigurohet mbrojtje për qytetarët që nuk pinë duhan, por edhe të mundësohet një hapësirë funksionale për duhanpirësit. Ministri shprehu pritjen që rregullat e reja të kontribuojnë në uljen e ndjeshme të numrit të duhanpirësve në vend – nga rreth 45% sa është aktualisht, në afërsisht 20% gjatë dy viteve të ardhshme.
Të dhënat e organizatave joqeveritare tregojnë se çmimet e cigareve në Maqedoni mbeten ndër më të ultat në rajon, me një mesatare prej rreth 1,7 euro për paketë, krahasuar me 2,1 euro në Evropën Juglindore dhe rreth 4,9 euro në nivel evropian.