Përurohet bulevardi VS Bato në Tetovë, Kasami: Nga “rrugë për askund” në arterie jetike
Komuna e Tetovës përuroi bulevardin VS Bato, që autoritet komunale e cilësojnë si një arterie që lidh Tetovën me fshatrat Poroj, Xhepçisht dhe të gjitha fshatrat e komunës së Tearcës.
Sipas numrit një të Tetovës, Bilall Kasami, bëhet fjalë për një aks të bulevardit, me gjatësi 1.5 kilometra, që kap vlerën e investimit prej 1.5 milion euro.
“Bëhet fjalë për një aks të bulevardit VS Bato, me një gjatësi gati 1,5 kilometra, i cili në pjesë të konsiderueshme shkon në 12 metra gjerësi, pra me trotuare, dhe pjesa tjetër një rrugë drejt fshatit Poroj me dy akse, me trotuar dhe ndriçim publik. I gjithë investimi i komunës së Tetovës për këtë projekt është rreth 1.5 milion euro”- theksoi Kasami.
Numri dy i komunës, Albi Qamili nënvizoi se ky bulevard është dëshmi se premtimet po shndërrohen në punë konkrete.
“Kjo rrugë është dëshmi se atë që e kemi premtuar gjatë fushatës zgjedhore, e kemi realizuar. Kjo rrugë është dëshmi se fjalët po i kthejmë në vepra, premtimet po i kthejmë në punë” tha Albi Qamili.
Autoritetet e Komunës së Tetovës deklaruan se edhe kundërshtarët tashmë e pranojnë se ky bulevard do të jetë një nga arteriet më të rëndësishme të komunës, dhe jo një rrugë që, siç pretendohej më herët, nuk përfundon “askund”.