Personi i dytë në RMV me hallkë elektronike në vend të burgut – a po ndryshon sistemi i ndëshkimit?
Për herë të dytë në Maqedoninë e Veriut një i dënuar do ta vuajë dënimin në arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, në vend që të qëndrojë në burg, raporton VOXAL.
Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve njoftoi se është nisur zbatimi i një vendimi të Gjykatës Themelore në Strugë, me të cilin një personi të dënuar i është zëvendësuar pjesa e mbetur e dënimit me burg me arrest shtëpiak dhe vendosje të hallkës elektronike në këmbë.
Sipas vendimit, i dënuari do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 11 muajsh e 28 ditësh në shtëpi, ndërsa lëvizjet e tij do të monitorohen 24 orë në ditë përmes pajisjes elektronike. Bëhet fjalë për një person të moshuar me probleme serioze shëndetësore, të cilat sipas institucioneve kanë qenë të vështira për t’u trajtuar në burg.
Në rast se ai nuk i respekton rregullat e përcaktuara, shërbimet e provës do ta njoftojnë gjykatën dhe masa mund të ndryshohet.
Ky është rasti i dytë në vend që përdoret mbikëqyrja elektronike. Rasti i parë ishte vitin e kaluar, kur Gjykata në Veles shqiptoi arrest shtëpiak prej tre muajsh për një person të moshuar.
Autoritetet thonë se kjo formë e vuajtjes së dënimit është më ekonomike për shtetin dhe më humane për të dënuarit në raste të caktuara.
Shteti posedon 400 hallka të tilla elektronike.VOXAL