Përleshja në Shtip, FFM e pezulloi përjetësisht futbollistin e ri të FC Shkupit
Bazuar në deklaratat e mbledhura, raportet zyrtare dhe parashtresën e dorëzuar nga Komisioni për kategoritë e reja pranë FFM-së, Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë i shqiptoi dënimin më të rreptë futbollistit të FC Shkupit, Leart Abdulit – përjashtim i përjetshëm nga organizata e futbollit.
“Incidenti më i rëndë ndodhi në fund të ndeshjes, kur lojtari i FC Shkupi 1927 me numër 9, Leart Abduli, sulmoi fizikisht lojtarin kundërshtar duke i shkaktuar lëndime të rënda”, thotë Federata e Futbollit.
Përveç tij, edhe dy lojtarë të FC Shkupi 1927 – Ibrahim Ramadani (nr. 5) dhe Amar Novobrdalia (nr. 30), u përfshinë në incident dhe ushtruan dhunë fizike. Kundër tyre u hap procedurë sipas nenit 43, paragrafi 1, dhe u shqiptua dënim – ndalim loje për tre (3) muaj.
Gjithashtu, u konstatua se lojtari i FC Bregallnica 2008 me numër 4, Simeon Gocev, u përfshi në lojë të ashpër dhe tejkaloi vetëmbrojtjen, duke reaguar ndaj sulmit. Për veprimin e tij, i cili bie nën nenin 40 të RD-së, iu shqiptua dënim – ndalim loje në katër (4) ndeshje.
FFM-ja ka hapur procedura disiplinore edhe ndaj dy klubeve, FC Bregallnicës për organizim të dobët të ndeshjes dhe sigurisë dhe FC Shkupit për shkak të sulmit fizik nga prindër/tifozë.