Për shqiptarët apo për tenderët? Përplasja e re mes BDI-së dhe VMRO-së
Ulja e numrit të këshilltarëve komunal përcillet me akuza të ndërsjellta mes partive politike. BDI thotë se vendimi i KSHZ-së prek drejtpërdrejt komunat shqiptare, teksa akuzon VLEN-in se po relativizon politikat antishqiptare të kryeministrit Mickoski.
“Është e qartë për opinionin publik se VLEN po mbulon dhe justifikon çdo politikë antishqiptare, duke u bërë pjesë e një plani për dobësimin e shqiptarëve në institucione,” thekson BDI.
I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-së, nga ku thonë se BDI akuzon me tema ndëretnike, sa herë që mbetet pa tenderë.
“Shqiptarët nuk janë të kërcënuar, të kërcënuara janë vetëm skemat kriminale të BDI-së. Kur mbeten pa tenderë dhe reket, përnjëherë shfaqen si ‘mbrojtës të shqiptarëve’” thekson VMRO në komunikatën e saj.
Më herët gjatë ditës, VLEN i dërgoi mesazh BDI-së, që të mos pretendojnë se mund të zgjidhin një problem që e kanë krijuar vetë.
“Ishte BDI ajo që shkroi, propozoi dhe votoi modelin dhe metodologjinë e regjistrimit që zhvlerësoi numrat, përjashtoi diasporën dhe shkeli përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve. Problemi nuk ra nga qielli, BDI e ndërtoi atë. Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi, Ilmi Selami, Blerim Bexheti dhe të tjerët janë krijuesit e problemit të regjistrimit. Ata nga BDI ishin në qeveri dhe votuan Ligjin e Regjistrimit në Parlament”, thonë nga VLEN.