Për në krye të prokurorisë publike! Qeveria do të zgjedhë mes Topolova-Isajlovska, Raiçeviq, Ristovska dhe Savevski
Ushtruesja aktuale e detyrës prokurore publike e shtetit, Anita Topolova Isajlovska, prokuroret Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristovska, si dhe gjyqtari nga Penalja Nenad Savevski morën mendim pozitiv nga anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë. U konstatua se këta kandidatë për pozitën e parë në Prokurorinë Publike kanë përvojë shumëvjeçare dhe integritet. Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, tha se u kanë dhënë dritë jeshile të gjithëve që i kanë plotësuar kushtet.
“Dhamë mendim pozitiv për arsye se të gjithë kandidatët për prokuror publik, njëri është gjyqtar me punë të suksesshme edhe në Prokurorinë Publike edhe në gjykata. Dhe nuk mundëm si anëtarë t’i ndajmë, sepse të gjithë kanë nga 20-30 vite ose 15 vite si prokurorë dhe për këtë arsye dhamë mendim pozitiv”, tha Bashkim Besimi.
Besimi mohon se kanë shmangur përgjegjësinë si organ profesional për të zgjedhur kandidatin më të kualifikuar dhe lë hapësirë që Qeveria të vendosë se kush do të propozohet, gjë që mund të kuptohet edhe si një vendim politik.
“Nuk lihet hapësirë për politikë për arsye se të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet në përputhje me ligjin. Ne nuk mundemi që për një prokuror që punon 20 – 15 vjet, tashmë ia dimë punën e prokurorit publik, mendoj për këtë përbërje të Këshillit, të japim mendim negativ për një prokuror i cili çdo ditë shkon në gjykata, çdo ditë punon lëndë dhe për këtë arsye dhamë mendim pozitiv”, deklaroi Bashkim Besimi.
I vetmi i përjashtuar është gjyqtari i shkarkuar Vladimir Pançevski, i cili u refuzua si kandidat pasi nuk e kaloi filtrin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, të cilët votuan njëzëri negativisht. U konstatua se ai nuk i plotëson kushtet e nevojshme, përkatësisht nuk ka përvojë të pandërprerë pune prej të paktën 10 vitesh, pasi ishte shkarkuar për shkak të përfshirjes në manipulimin e sistemit AKMIS. Hapi i radhës është që Këshilli t’i dorëzojë mendimet për të katër kandidatët që morën mendim pozitiv te Qeveria. Më pas, prej andej duhet të merret vendimi se cili prej tyre do të propozohet në Kuvend për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit.