PD protestë para Kryeministrisë dhe Kuvendit, protestuesit qëllojnë me molotovë dhe fishekzjarrë. Policia përdor gaz lotsjellës
Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare përpara Kryeministrisë. Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për këtë protestë.
Sipas policisë bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Vetëm pak minuta para fillimit të protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, shkoi në selinë “Blu”, ku nga do të niset për të shkuar përpara Kryeministrisë, aty ku mbajti dhe fjalimin e tij.
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë.
Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit.
Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorin Enver Hoxha në vitin 1991.
Në protestën e katërt kombëtare të PD-së përpara Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.
“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.
/TopChannel