Pas pesë vitesh hetim, prokuroria mbyll rastin e ndërtimit të spitaleve modulare
Pas pesë vitesh hetime, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka njoftuar se nuk ka gjetur dyshime për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare lidhur me ndërtimin e 19 spitaleve modulare gjatë krizës së COVID-19.
Hetimi ishte hapur në vitin 2021 nga ish-prokurorja Vilma Ruskoska, pas zjarrit tragjik në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
Sipas prokurores Verica Berzhecka, gjatë hetimit nuk janë konstatuar veprime që përbëjnë keqpërdorim dhe as dëmtim të buxhetit të shtetit.
“Nuk ka veprime të keqpërdorimit dhe nuk është dëmtuar buxheti”, deklaroi Berzhecka.
Hetimi kishte përfshirë mënyrën e ndërtimit dhe prokurimit të 19 spitaleve modulare të ngritura gjatë pandemisë, ndërsa familjarët e viktimave të zjarrit në Tetovë kishin kërkuar përgjegjësi edhe nga ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, si dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, pronar i kompanisë “Brako”.
Pas përfundimit të hetimit, Prokuroria nuk ka konstatuar elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në procesin e ndërtimit të spitaleve modulare.
Zjarri në spitalin modular të Tetovës në shtator të vitit 2021 ishte një nga tragjeditë më të rënda gjatë pandemisë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa çështja për përgjegjësinë dhe rrethanat e tragjedisë ka qenë objekt i diskutimeve dhe hetimeve për vite me radhë./VOXAL/