Pas dekadash pa status të qartë, legalizohet Aeroporti i Ohrit
Pas rreth gjashtë dekadash funksionimi pa status të rregulluar pronësor, Aeroporti i Ohrit “Shën Apostull Pavli” është legalizuar zyrtarisht. Lajmin e konfirmoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar është zhvilluar një proces i gjerë institucional, ku janë përfshirë Ministria e Transportit, SHA Aeroporte dhe TAV, Kadastra, Avokatura e Shtetit, Administrata për Çështje Pronësore dhe institucione të tjera relevante, me qëllim regjistrimin e aeroportit në kadastrën e pronave dhe pajisjen e tij me dokumentacion të plotë pronësor.
Sipas Nikolloskit, ndonëse në rrethana normale ky do të ishte një veprim rutinë administrativ, pas viteve të gjata të neglizhencës ndaj kapitalit shtetëror, ky zhvillim përbën një lajm me rëndësi për publikun.
Ministri gjithashtu paralajmëroi se në periudhën e ardhshme pritet modernizimi dhe rikonstruksioni i Aeroportit të Ohrit, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për udhëtarët.