
Parlamenti i Iranit voton për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, por përse është kaq i rëndësishëm?!
Kriza në Lindjen e Mesme thellohet. Parlamenti iranian ka miratuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit.
Ky vendim mund të ketë pasoja të mëdha për ekonominë botërore, pasi ngushtica është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit global. Mbyllja e saj do të godasë drejtpërdrejt furnizimin ndërkombëtar me energji dhe pritet të rrisë menjëherë çmimet në tregjet botërore.
Autoritetet iraniane kanë njoftuar se vendimi final për mbylljen e korridorit do të merret nga organi më i lartë i sigurisë së vendit. Komandantë të lartë të Gardës Revolucionare kanë paralajmëruar se bllokimi i ngushticës do të bëhet sa herë që konsiderohet i domosdoshëm.
Në anën tjetër, ushtria amerikane ka konfirmuar se ka goditur me sukses tri nga qendrat më të rëndësishme bërthamore të Iranit, në një operacion të koduar “Çekani i Mesnatës”. Komanda ushtarake amerikane ka njoftuar se operacioni është zhvilluar me element të plotë befasie, pa pasur nevojë për përballje të drejtpërdrejtë me forcat ajrore iraniane.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i mëtejshëm i komunitetit ndërkombëtar.
