Paraburgim për çiftin që lidhet me vrasjen e mjekut në Zhelezarë
Gjykata Penale në Shkup u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy bashkëshortëve të dyshuar për vrasjen e mjekut Aco Trpovski në Zhelezarë.
Sipas Gjykatës, është pranuar propozimi i Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, ndërsa paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarët.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2024 në një parking në lagjen Autokomandë. Një 65-vjeçar dyshohet se, pas një debati verbal me mjekun Aco Trpovski, e ka sulmuar atë me thikë, duke i shkaktuar nëntë plagë, të cilat rezultuan fatale.
Prokuroria dyshon se bashkëshortja 59-vjeçare e të dyshuarit e kishte joshur viktimën në vendin e takimit, ndërsa pas vrasjes ndihmoi në fshehjen e gjurmëve të krimit. Sipas autoriteteve, të dy bashkëshortët e zhvendosën trupin në automjet dhe e lanë atë në parkingun e Poliklinikës “Zhelezarë”, ndërsa më pas pastruan gjurmët dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
65-vjeçari po hetohet për veprën penale “Vrasje”, ndërsa bashkëshortja e tij për ndihmë në kryerjen e veprës penale.