
Paraburgim për biznesmenin Risto Kërmzov, dyshohet për mashtrim dhe pastrim parash
Gjykata Penale e Shkupit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për biznesmenin nga Strumica, Risto Kërmzov, i cili dyshohet për mashtrim financiar dhe pastrim parash. Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë bashkim kriminal, evazion fiskal dhe dëmtim të buxhetit shtetëror në vlerë prej 95 milionë eurosh.
Sipas Ministrisë së Brendshme, Kërmzov, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka organizuar një grup të strukturuar kriminal, të cilit më pas i janë bashkuar edhe shtatë menaxherë të 15 kompanive të ndryshme. Gjatë një periudhe pesëvjeçare, grupi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme përmes mashtrimeve financiare.
Ndër të dyshuarit janë edhe kontabilistë dhe zyrtarë të Drejtorisë për të Ardhura Publike, të cilët, sipas hetimeve, kanë manipuluar me fatura të rreme dhe të dhëna për transaksione të pavërteta, me qëllim shmangien e tatimeve dhe përfitimin e dobisë materiale.
