
Panorama e Prishtinës – Kupolat si simbol i dijes
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nuk është vetëm qendër e dijes, por edhe një nga objektet më të veçanta me arkitekturën e saj unike të shekullit 20-të. Në historinë e saj, Biblioteka kaloi në disa faza ndryshimesh, për t’u përshtatur me zhvillimet e reja kulturore dhe shoqërore, andaj një nga ndryshimet më të rëndësishme, ka qenë ndërtimi i një objekti të ri, i cili është bërë simbol i krenarisë kombëtare dhe qytetare.
Ky objekt, me një model mahnitës, u projektua nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, i cili e dizajnoi Bibliotekën Kombëtare me stilin e “regjionalizmit të ri”. Në tërësinë e saj arkitekturore, Biblioteka karakterizohet me kombinimin e 72 kupolave, të ndikuara nga arkitektura islame dhe ajo bizantine, edhe pse qëndron një mit se Biblioteka ka gjithsej 99 kupola të tilla. Ato ndahen në segmente që i përngjajnë trurit, të cilat simbolikisht paraqesin dijen. Gjithashtu, një nga versionet më të famshme të simbolikës së bibliotekës lidhet me rrjetën metalike si mbrojtje, kurse kupolat si plisi i bardhë, që përfaqësojnë identitet kombëtar. Kjo ngjashmëri me plisin ka qenë edhe arsyeja pse politikanët serbë të kohës reaguan ashpër ndaj ndërtesës.
View this post on Instagram
Biblioteka është katërkatëshe, me sipërfaqe prej 16.500 m², e cila karakterizohet me një kompozim kubesh të mbështjellura me rrjetë metalike alumini në të gjithë ndërtesën. Kombinimi i metalit me ndriçimin zenitor përmes kupolave, siguron ndriçim të bollshëm duke krijuar një efekt vizuel të bukur gjatë mbrëmjës, kurse kupola më e madhe e bibliotekës, siguron ndriçim natyror të brendshëm pasi është e vendosur në qendër.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ofron hapësira të shumëllojshme, duke përfshirë salla të leximit të ndara në kate. Kati i parë ka dy salla të mëdha për 400 lexues, kati i dytë ofron sallën e periodikut, ndërsa kati i tretë është i dedikuar për përdoruesit shkencorë dhe hulumtuesit. Është bibliotekë me rreth 2,5 milionë njësi dhe rreth 1.300 vëllime të vjetra dorëshkrimore.
Nga viti 2008 (me shpalljen e pavarësisë së vendit), ruan kujtesën dhe trashëgiminë kombëtare të Republikës së Kosovës, depozituese ligjore që merr kopje të të gjitha materialeve të shtypura në Kosovë dhe kontribuon në sigurimin e qasjes në universin më të madh të njohurive të regjistruara.
Në vitin 2023, objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u vendos në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme. Ky status i veçantë është një njohje e rëndësishme për rëndësinë kulturore dhe historike të këtij objekti dhe përkushtimin për ruajtjen e tij për brezat e ardhshëm.