Pak pa e shkarkuar Kuvendi, kryeprokurori Kocevski jep dorëheqje(dokument)
Prokurori Publik i Shtetit, Ljupço Kocevski, sot ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga funksioni, menjëherë para fillimit të seancës së Kuvendit ku duhej të diskutohej shkarkimi i tij. Ai vlerësoi se procedura për shkarkimin është një vendim politik dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë Publike.
Në deklaratën e tij, Kocevski theksoi se funksionin e ka ushtruar me ndershmëri dhe dinjitet për gati dy vjet, duke shtuar se largohet “me kokën lart”, por edhe me zhgënjim për shkak të, siç tha, mosrespektimit të parimeve mbi të cilat mbështetet shteti i së drejtës.
Ai bëri të ditur se ftesën nga Kuvendi për të marrë pjesë në seancën ku do të shqyrtohej shkarkimi i tij e ka marrë në orën 10:00, vetëm një orë para fillimit të saj, pa iu dorëzuar paraprakisht propozimi për shkarkim, çka sipas tij i ka pamundësuar të përgjigjet nga foltorja e Kuvendit.
Sipas Kocevskit, propozimi për shkarkim nuk është i bazuar as në ligj dhe as në fakte, duke theksuar se Ligji është i qartë se Prokurori Publik i Shtetit mund të shkarkohet vetëm nëse konstatohet shkelje e rëndë disiplinore. Ai shtoi se ky mekanizëm ekziston për të mbrojtur pavarësinë e Prokurorisë Publike dhe parimin e ndarjes së pushteteve, e jo individë të caktuar.
Kocevski kujtoi se edhe Këshilli i Prokurorëve Publikë ka dhënë mendim negativ ndaj propozimit të Qeverisë për shkarkimin e tij.
Dorëheqjen, siç njoftoi ai, e ka dorëzuar te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa deputetët tani pritet vetëm ta konstatojnë atë.
Duke iu referuar raportit të fundit të Komisionit Evropian, Kocevski theksoi se një nga kritikat kryesore janë presionet politike ndaj gjyqësorit, të cilat, sipas tij, po e paralizojnë luftën kundër korrupsionit. Ai vlerësoi se propozimi për shkarkimin e tij është shembull konkret i këtyre presioneve dhe se me gjasë do të përfshihet edhe në raportin e ardhshëm të KE-së.
Në fund, Kocevski tha se arsye shtesë për presionet ndaj tij janë edhe procedurat disiplinore, shkarkimet dhe procedurat penale që ai ka iniciuar kundër prokurorëve të dyshuar për korrupsion ose punë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme, duke theksuar se kontrollet janë të domosdoshme nëse synohet një prokurori që i shërben ligjit dhe jo individëve apo qendrave të pushtetit.
