Pagat e funksionarëve ulen për 13 mijë denarë
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar në Kuvend një paketë propozim-ndryshimesh për gjashtë ligje, me të cilat parashikohet ulje e pagave për funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në vend. Sipas deputetit Bojan Stojanoski, reduktimi do të jetë nga 10 deri në 13 mijë denarë, ndërsa për disa pozita edhe më i lartë.
Ndryshimet përfshijnë ligjet që rregullojnë pagat e deputetëve, ministrave, gjykatësve, prokurorëve publikë, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë, si dhe kryetarëve të komunave.
Sipas propozimit, pagat e deputetëve dhe funksionarëve të pushtetit ekzekutiv do të ulen përmes reduktimit të koeficientëve për llogaritjen e pagës. Për gjykatësit dhe prokurorët parashihet përshtatje në përputhje me mundësitë ekonomike, ndërsa për kryetarët e komunave do të vendoset një shkallë e re pagese, e bazuar në numrin e banorëve të komunës përkatëse.
Sipas Stojanoskit, qëllimi i ndryshimeve është shpërndarja më e drejtë e fondeve buxhetore dhe harmonizimi i pagave me kushtet ekonomike në vend. Fondet e kursyera, sipas tij, do të ridestinohen për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.
Ulja e pagave pritet të zbatohet që me pagesën e pagës për muajin shkurt.
Nesër në Kuvend do të mbahet seancë plenare, në të cilën do të votohet për nevojën e miratimit të këtyre ligjeve. Pas afatit procedural prej gjashtë orësh, projektligjet pritet të rikthehen në seancë për votim përfundimtar.VOXAL