Osmani: Vuçiq tentoi ta prishë Samitin e Brdo-Brionit, por deklarata u miratua me unanimitet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar ta prishë Samitin e Brdo-Brionit që u mbajt në Durrës, përmes arrogancës dhe fyerjeve ndaj pjesëmarrësve.
Në një prononcim për media pas përfundimit të takimit, Osmani tha se pavarësisht sjelljes së Vuçiqit, pjesëmarrësit arritën të miratojnë deklaratën e përbashkët me unanimitet.
“Si në takimet e tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë, në tentim që ta prishte takimin. Arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet. Për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte, ne kishim argumentet tona të fuqishme, të mbështetura nga e drejta ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,” tha Osmani.
Ajo theksoi se Kosova është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal, por se nuk do të lejojë cenimin e interesave shtetërore, të sovranitetit dhe të integritetit territorial.
Duke iu referuar ankesave të Vuçiqit për paktin e përbashkët të mbrojtjes Kosovë–Shqipëri–Kroaci, Osmani tha se ky bashkëpunim ka vetëm qëllime mbrojtëse.
“Në historinë tonë si komb, ne asnjëherë nuk kemi sulmuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur veten. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke fuqizuar ushtrinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Kosovës dhe lirinë e fituar me shumë sakrificë,” shtoi presidentja Osmani.
Sipas saj, aleancat e Kosovës janë pjesë e përpjekjeve për paqe dhe siguri rajonale, ndërsa rreziqet për vendin vazhdojnë të vijnë nga Serbia.