Osmani viziton fabrikën e uniformave: Këto uniforma mbajnë me krenari vulën “Made in Çair”
Në komunën e Çairit po funksionon me sukses një fabrikë e cila punëson mbi 120 punëtorë, kryesisht gra nga komuniteti lokal, që me përkushtim dhe profesionalizëm prodhojnë uniforma rezistente ndaj ujit dhe zjarrit për zjarrfikësit, jopolicët dhe postierët në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, ka njoftuar kandidati për kryetar të Çairit Bujar Osmani.
Këto uniforma mbajnë me krenari vulën “Made in Çair”, duke dëshmuar se puna cilësore dhe inovacioni nuk mungojnë as këtu, në zemër të Shkupit, ka shtuar Osmani.
“Pronari i fabrikës, Darko, është përshkruar si shembull i një sipërmarrësi që beson në potencialin vendas dhe në fuqinë e grave dhe të rinjve të Çairit. Gjatë vizitës në fabrikë, u shpreh falënderim për kontributin e tij, për guximin dhe për besimin që u jep punonjësve përmes mundësisë për punë të ndershme dhe jetesë me dinjitet. Këto janë bizneset që do të mbështesim dhe subvencionojmë si komunë, sepse çdo vend pune i hapur këtu është një familje më shumë që jeton me dinjitet,” u theksua gjatë vizitës.
Ky është vizioni për Çairin e së ardhmes – një komunë që investon në punë, barazi dhe zhvillim real ekonomik, shton Osmani.