Osmani prezanton Ligjin për përfaqësim të drejtë: “Pas 25 vitesh, shqiptarët kanë ligj”
Drejtori i Agjencisë së Gjuhëve Granit Osmani ka prezantuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat duke e cilësuar si një arritje të madhe për shqiptarët në vend.
Sipas tij, pas më shumë se dy dekadash premtimesh dhe përdorimi të kësaj çështjeje për qëllime politike, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat tashmë është rregulluar me ligj.
“Pas gati 25 vitesh, shqiptarët më në fund kanë ligj. Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, deklaroi Osmani, duke theksuar se deri më tani kjo temë është shfrytëzuar për propagandë dhe vota, pa u zgjidhur në mënyrë konkrete.
Ai bëri të ditur se ligji është përgatitur edhe me sugjerimet e Komisioni i Venecias dhe për herë të parë parashikon mekanizma të qartë për zbatimin e tij.
Sipas Osmanit, do të themelohet një trup koordinues qeveritar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bekim Sali, që do të monitorojë dhe garantojë zbatimin e ligjit në praktikë.
Një ndër risitë kryesore, theksoi ai, është vendosja e një metodologjie të bazuar në të dhëna reale, duke i dhënë fund, siç u shpreh, vetëdeklarimeve të rreme dhe manipulimeve me numra.
“Nuk do të ketë më hile, nuk do të ketë më mashtrim me numra dhe as lojëra prapa dere”, u shpreh Osmani.
Ai shtoi se brenda gjashtë muajve pritet që i gjithë legjislacioni të harmonizohet me këtë ligj, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një zgjidhje afatgjate dhe jo për masa të përkohshme.
Në fund, Osmani theksoi se ky ligj shënon një kthesë të rëndësishme, duke e shndërruar përfaqësimin nga një mjet politik në një detyrim ligjor.
“Shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë ligj”, përfundoi ai.