OSBE: Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut – nën hijen e identitetit kombëtar dhe ndasive etnike
Fushata për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politike dhe etnike, ku identiteti kombëtar dhe përfaqësimi i komuniteteve janë shndërruar në temat kryesore të debatit publik – thuhet në raportin e përkohshëm të OSBE/ODIHR, të publikuar më 3 tetor.
Sipas raportit, vendi hyn në zgjedhje me një polarizim të theksuar politik, me mosbesim në institucione dhe pakënaqësi të thellë ndaj korrupsionit. Në këtë kontekst, çështjet që prekin ndarjet etnike dhe statusin e gjuhëve, përbërjen e administratës dhe raportet mes komuniteteve janë kthyer në boshtin kryesor të fushatës.
Raporti thekson se edhe pse procesi zgjedhor është i rregulluar me Kushtetutë, Kod Zgjedhor dhe aktet nënligjore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, shumë rekomandime të mëparshme ndërkombëtare mbeten të pazbatuara. Një nga shembujt është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në maj, e cila anuloi dispozitat për mbledhjen e firmave nga kandidatët e pavarur. Komisioni Zgjedhor vendosi që në mungesë të ligjit të ri të kërkohen vetëm dy firma mbështetëse.
Sipas OSBE/ODIHR, pabarazitë në qasjen ndaj mediave dhe reklamat politike mbeten problem serioz. Rregullat për financimin e fushatës nga buxheti i shtetit u japin përparësi partive të mëdha parlamentare, ndërsa kandidatët e pavarur dhe partitë më të vogla mbeten në disavantazh. “Fragmentimi politik dhe etnik i mediave ndikon drejtpërdrejt në barazinë e garës,” thekson raporti.
Misioni ngre shqetësim edhe për saktësinë e listave zgjedhore, pasi shumë qytetarë që figurojnë në to nuk jetojnë më në vend, si dhe për aktivitetet e parakohshme të disa kandidatëve, para fillimit zyrtar të fushatës. Për më tepër, në disa raste është vërejtur përdorim i gjuhës diskriminuese dhe mizogjene ndaj grave kandidate, që dëmton barazinë gjinore në garën politike.
Raporti nënvizon se zgjedhjet e tetorit do të jenë një provë vendimtare për funksionimin e institucioneve demokratike, për ndarjen e qartë mes pushtetit dhe partive, dhe për besueshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor./ VOXAL/