Numri një i Qytetit të Shkupit premton 130 autobusë të rinj
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski në intervistë për Radio Evropën e Lirë, njoftoi se transporti publik në kryeqytet do të përmirësohet me rinovimin e flotës së autobusëve dhe sigurimin e autobusëve te rinj.
Sipas kryetarit, 100 autobusë të rinj do të vijnë nga Qeveria dhe të paktën 30 të tjerë përmes projekteve aktuale, duke lejuar shtimin e dy linjave të reja për të reduktuar përdorimin e makinave private.
Ai theksoi se aktualisht rreth 180 autobusë janë në funksion dhe apeloi tek qytetarët të raportojnë çdo problem tek Komuna e Shkupit ose tek ndërmarrja publike e transportit.
“Pra, rreth 180 autobusë i ka Ndërmarrja Publike e Transportit Shkup që shërbejnë në linjat në qytet. Do të duhet të kontrolloj, nëse ka ndonjë informacion të saktë ose vërejtje nga ndonjë qytetar, unë apeloj të reagojnë tek Komuna e Shkupit, por edhe tek ndërmarrja publike e transportit. Pasi të na arrijnë 100 autobusët e rinj nga Qeveria, 30 autobusët përmes TSHA-së (transportit të shpejtë me autobus), atëherë ne do të mund të diskutojmë nëse ka ndonjë anomali që ne nuk e kemi zgjidhur. Por aktualisht unë po bëj gjithçka që të vendos në funksion të plotë atë që kemi në dispozicion për qytetarët.” – u shpreh Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski.
Gjeorgjievski tha se me arritjen e autobusëve të rinj, sistemi i transportit publik do të mbulojë të gjitha linjat e qytetit.