
NP “Parqe dhe Gjelbërim” paguan 6 mijë euro për çajra, ndërsa s’ka mjete për pagat e punëtorëve
Përderisa punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive degë të ndërmarrjes, “Florakom” dhe “Luna”, protestojnë disa ditë me radhë për shkak të mospagesës së pagave, VOXAL ka analizuar prokurimet të cilat kjo ndërmarrje i ka realizuar që nga fillimi i vitit e të cilat janë publike në faqen e internetit në sistemin elektronik për furnizime publike.
Sipas të dhënave që i kemi analizuar dhe përllogaritur, në shkurt të këtij viti Ndërmarrja Publike e qytetit të Shkupit “Parqe dhe Gjelbërim” ka lidhur pesë kontrata me ankand publik për furnizime me tubë plastike, spërkatës, hidrantë, kapak mbrojtës, elemente për hidrant, rrjet dhe pajisje me material harxhues. Këto kontrata janë realizuar me një kompani nga Strumica, kapin vlerën e 23.600.000 denarë ose 384.821 euro.
Një kontratë e cila sipas gjitha gjasave është më se e rëndësishme për Ndërmarrjen Publike në fjalë është ajo për furnizim me fara për bar, kontratë e cila është lidhur me të njëjtën ndërmarrje nga Strumica, kap vlerën e 4,410.100 denarë ose 71.886 euro.
Në mesin e disa kontratave që janë lidhur e të cilat janë të publikuara në sistemin elektronik për furnizime publike, në fund të prillit nga Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërim”, kanë paguar mjete financiare, para të qytetarëve për prodhime të çajit për kuzhinë në vlerë prej 367.393,36 denarë ose 5.990 euro.
Sindikatat dhe punonjësit kanë paralajmëruar ashpërsimin e protestave dhe bllokada të disa kryqëzimeve në Shkup.
Punonjësit e “Florakom” dhe “Luna” kanë protestuar pothuajse gjatë gjithë verës për shkak të pagesës së parregullt të pagave. VOXAL
