Një muaj paraburgim për shtatë drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shtatë drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, nën dyshimin se kanë ndikuar në vullnetin e lirë të votuesve.
Sipas njoftimit, masa e paraburgimit u është caktuar personave me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M., pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lirohen në liri, teksa gjykata tha se ekziston rreziku real që nëse ata lihen në liri të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale.
Gjykata po ashtu tha se të pandehurit mund t’i përsërisin veprat penale nëse lihen në liri.
Lidhur me masën e paraburgimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë reagoi Shëndetësisë i Qeverisë së Serbisë, Zllatibor Lonçar, duke thënë se ky vendim është i motivuar politikisht, si dhe duke theksuar se në mesin e shtatë të arrestuarve janë tre drejtues të institucioneve shëndetësore në Kosovën qendrore.
“Theksoj se Ministria e Shëndetësisë, së bashku me shtetin e Serbisë, do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet shëndetësore serbe në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë edhe më me vendosmëri, dhe se veçanërisht do të kërkojë mënyra për t’i ndihmuar institucionet shëndetësore të prekura”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendoi se masa e paraburgimit u caktua “me urdhër të drejtpërdrejtë politik” të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me ndihmën e Rashiqit.
Në reagim u tha se me këtë veprim po synohet “goditja e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit, dobësimi i Listës Serbe dhe frikësimi i popullatës serbe para fillimit të fushatës zgjedhore”.
Beogradi e cilësoi si “ndërhyrje të papranueshme” të Prishtinës në sistemin arsimor dhe shëndetësor serb në Kosovë.Kosova i vlerëson të paligjshme dhe paralele institucionet që funksionojnë sipas sistemit serb, dhe viteve të fundit i ka mbyllur ato, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha po ashtu se Beogradi është në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke kërkuar lirimin e shtatë të arrestuarve.
Të dyshuarit u arrestuan më 19 maj me urdhër të Prokurorisë Themelore, e cila, siç është bërë e ditur, ka reaguar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale lidhur me pretendimet e liderit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, se Lista Serbe po ushtron presion dhe po i shantazhon përkrahësit e tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se personat e arrestuar dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me veprën për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Rashiq, i cili është ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, fillimisht më 14 maj tha se rreth 20 persona që e mbështesin atë kanë marrë vendimin largim nga puna, ndërsa në të ardhmen pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendim për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, i ka mohuar të gjitha akuzat e Rashiqit dhe ka vlerësuar se ai po përpiqet ta “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen në qershor.
Arrestimet e drejtorëve të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, nga Lista Serbe më 20 maj i kanë cilësuar si “të motivuara politikisht” dhe “nën dirigjimin e regjimit në Prishtinë”.
Ndërkohë, në Graçanicë, që gjendet afër Prishtinës, që nga 20 maji po mbahen protesta në shenjë mbështetjeje për drejtorët e arrestuar.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, nga subjektet politike serbe marrin pjesë vetëm Lista Serbe dhe partia e Rashiqit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./REL