
Një helikopter çek dhe zjarrfikësit sllovenë do të fillojnë sot shuarjen e zjarreve në RMV
Një helikopter zjarrfikës i llojit Black Hawk nga Republika Çeke ka ateruar mbrëmjen e djeshme në Shkup për të ndihmuar në përballjen me zjarret masive në pyjet e Maqedonisë së Veriut. Helikopteri pritet të fluturojë drejt malit Goten, ku do të përfshihet në shuarjen e zjarrit në anën e Berovës, njoftoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh), Stojançe Angellov, transmeton Portalb.mk.
“Burimi më i përshtatshëm për mbushjen me ujë është liqeni artificial Turija, i cili është rreth dhjetë kilometra larg në vijë ajrore nga zjarri”, tha Angellov.
Një konvoj prej 61 zjarrfikësish nga Sllovenia me 18 automjete mbërriti në vend këtë mëngjes. Midis tyre janë automjete speciale fuoristradë me pajisje për shuarjen e zjarreve në pyje.
Zjarri në malin Goten ka qenë aktiv prej ditësh dhe konsiderohet si një nga më të vështirat për t’u shuar.
Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK) njoftoi këtë mëngjes se tre zjarre janë aktive dhe pesë janë nën kontroll. 20 zjarre janë shuar.
“Helikopteri është i pajisur me një rezervuar të tipit “Bambi Bucket”, me kapacitet prej 3,410 litrash ujë, që mundëson shuarje shumë efikase të zjarreve nga ajri. Mëngjesin e sotëm, ai u nis nga Mělník drejt Shkupit në një operacion të organizuar nga Shërbimi Zjarrfikës dhe i Shpëtimit i Republikës Çeke (HZS ČR), me mbështetjen e Ambasadës Çeke në Shkup. Ndërhyrja u realizua pas kërkesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila u dërgua përmes Sistemit të Përbashkët të Komunikimit dhe Informimit për Situata Emergjente (CECIS)”, thonë nga Ambasada çeke në Shkup.
Në bord ndodhen tre pjesëtarë të Shërbimit Çek të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, si dhe një ekuipazh prej katër anëtarësh – pilotë dhe teknikë. Ky ekip do të angazhohet në operacionet për shuarjen e zjarreve të mëdha pyjore, nga të cilat aktualisht janë aktive dhjetë vatra në gjithë vendin, thuhet në njoftim.
Mbërritja e helikopterit përfaqëson një akt të rëndësishëm solidariteti ndërkombëtar dhe bashkëpunimi praktik në menaxhimin e emergjencave.
Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe këtë vit Maqedonia e Veriut përballet me shumë zjarre në pyje.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.