Nis samiti i Shangait – liderët e gjigantëve aziatikë në Kinë për të treguar fuqinë ekonomike dhe ushtarake
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, sot dhe nesër do të jetë nikoqir i liderëve të Rusisë, Indisë, Iranit dhe Turqisë, së bashku me njëzet liderë të tjerë euro-aziatikë, me qëllim që të tregojë se, në epokën e tarifave amerikane dhe tensioneve gjeostrategjike, është i mundur një model tjetër i bashkëpunimit ndërkombëtar, me Kinën në qendër.
Shefat e shteteve dhe qeverive nga rreth njëzet vende dhe përfaqësues të dhjetëra organizatave ndërkombëtare e rajonale, që dje nisën të mbërrijnë në qytetin-port, i cili në të kaluarën, kur quhej Tiançin, kishte koncesione nga vendet perëndimore, si dhe nga Japonia e Rusia, ndërsa sot është simbol i vitalitetit ekonomik të Kinës.
Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti sot në mëngjes në Kinë.
Kryeministri indian Narendra Modi erdhi dje, në vizitën e tij të parë në Kinë që nga viti 2018, gjë që shihet si shenjë afrimi mes dy gjigantëve aziatikë. Modi u prit nga presidenti kinez.
Samiti po zhvillohet nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe ushtarake. Mjete të blinduara janë vendosur në disa rrugë.
Samiti, i përshkruar si më i rëndësishmi që nga themelimi i Organizatës së Shangait më 2001, po mbahet në kushte të krizave të shumta që ndikojnë drejtpërdrejt te anëtarët e saj: konflikti tregtar i SHBA-ve me Kinën dhe Indinë, lufta në Ukrainë, çështja bërthamore e Iranit dhe të tjera.
SHOSh përmbledh 10 vende anëtare dhe 16 vende vëzhguese ose partnere dhe përfaqëson pothuajse gjysmën e popullsisë së botës dhe 23,5 për qind të BPV-së së planetit.
Gjatë samitit, Kina synon të tregojë ndikimin e saj diplomatik, por edhe fuqinë ushtarake, duke u paraqitur si një shtyllë stabiliteti në një botë të polarizuar.
Putin dhe disa pjesëmarrës të tjerë të mërkurën do të jenë dëshmitarë të demonstrimit të fuqisë ushtarake të nikoqirit, së bashku me një paradë madhështore në Pekin me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores ndaj Japonisë.
Me këtë rast, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të bëjë një udhëtim të rrallë jashtë vendit të tij të izoluar, për të qëndruar krah për krah me Xi Jinping në Kinën fqinje dhe aleate./VOXAL/