Nesër i jepet lamtumira e fundit ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci
Nesër, më 2 janar, do të varroset në varrezat e Dragodanit, ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci.
Bazuar në njoftimin e familjes, nga ora 09:00-11:45 do të mbahen homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, nga ora 12:00-12:45 mbahet Akademi Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa varrimi me nderime shtetërore do të organizohet nga ora 13:40-14:20.
“Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie. E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00” thuhet në njoftimin e familjes.
Ndryshe, ish-Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare. Ai krahas kontributit në jetën akademike, udhëhoqi për dy mandate rradhazi, nga viti 2000 deri në 2006-ën, organin legjislativ.
Krahas detyrës si kryetar i Kuvendit të Kosovës, Daci ka mbajtur përkohësisht edhe detyrën e Presidentit pas ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës në vitin 2006.
Nexhat Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2011. Ai u lancua në politikën e lartë të vendit në zgjedhjet e para parlamentare me kërkesë të ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
Në vitin 2000 ai kryesoi listën e LDK-së për zgjedhjet komunale në Prishtinë, nga ku kjo forcë politike doli fituese.
Nexhat Daci ishte themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në jetën politike të vendit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si kryeparlamentar.
Përpara angazhimit aktiv në politikë, Daci ka mbajtur edhe detyrën e anëtarit dhe atë të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe ka qenë profesor në degën e kimisë në Universitetin e Prishtinës.
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit kanë shprehur shume politikanë e figura të larta vendorë dhe të rajonit.