Nesër ditë zie në Tetovë për Shpat Kasapin
Komuna e Tetovës ka njoftuar se e hëna, 1 dhjetor 2025, do të jetë ditë zie në gjithë territorin e komunës, pas vdekjes së këngëtarit të njohur tetovar Shpat Kasapi në moshën 40 vjeçare, një prej emrave më të dashur të muzikës shqiptare.
Në komunikatën zyrtare të komunës thuhet se:
“Nesër (e hënë), 01.12.2025, për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës do të shpall ditë zie në gjithë territorin e saj. Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare. Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë artdashësve!”
Institucionet publike do të mbajnë flamujt në gjysmështizë, ndërsa aktivitetet festive të parashikuara për atë ditë do të shtyhen ose anulohen, në shenjë respekti për artistin e ndjerë.
Shpat Kasapi ishte një prej emrave më të njohur të skenës muzikore shqiptare, me karrierë shumëvjeçare dhe këngë që kanë mbetur të dashura për publikun. Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta dhe dhimbje te familjarët, miqtë dhe artdashësit të cilët gjatë ditës së sotme, ishin mbledhur fillimisht te Pallati i Kulturës për të shpehur nderime dhe ngushëllime për familjen, dhe më vonë tek varrezat e qytetit për ta përcjellë në banesën e fundit./VOXAL/
