Nëntë të vdekur dhe 26 të plagosur nga përmbysja e një autobusi në Antalya
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të dielën në zonën Dosemealti, në veriperëndim të qytetit turk të Antalyas, ku një autobus pasagjerësh është përmbysur në një përrua, duke lënë nëntë persona të vdekur dhe 26 të tjerë të plagosur.
Sipas autoriteteve, autobusi i kompanisë “Buzlu”, me targë 26 ABG 022, që udhëtonte gjatë natës nga Tekirdag drejt Antalyas, ka goditur barrierat anësore të rrugës në kryqëzimin Komurler rreth orës 10:20 të mëngjesit, përpara se të përfundonte në përrua. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror TRT tregojnë autobusin të përmbysur, ndërsa disa pasagjerë dyshohet se janë hedhur jashtë automjetit si pasojë e përplasjes.
Guvernatori i provincës Antalya, Hulusi Sahin, njoftoi se 26 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike. Pas njoftimit për aksidentin, në vendngjarje u angazhuan ekipe të shërbimeve shëndetësore, zjarrfikësit, AFAD-i, xhandarmëria dhe policia, të cilat kryen operacione kërkimi, shpëtimi dhe evakuimi, si dhe siguruan zonën.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshimet paraprake tregojnë se kushtet e vështira atmosferike mund të kenë ndikuar në ngjarje.