
Në luftë me flakët me gjysmë kapaciteti
Përveç pagave të ulëta, zjarrfikësit ballafaqohen me mungesën e kushteve elementare për punë.
Njëri prej profesioneve më të vështira, po ballafaqohet me mungesë të thellë të punëtorëve. Nga Bashkësia e Njësive për Vetëqeverisje Lokale, alarmojnë se nga 800 zjarrfikës, siç parashihet sipas ligjit, njësitë zjarrëfikse komunale kanë vetëm 400.
Zjarrfikësit përveç që duhet të punojnë sa për dy persona, nuk i kanë as kushtet elementare për punë.
“Në ligj thuhet, se në secilin 1.500 banorë, duhet të ketë nga 1 zjarrfikës. Në shtet nuk ekziston qendër trajnuese për stërvitje për kuadrot e reja të zjarrfikësve, e as për më të vjetrit. Problemi i tretë me të cilin ballafaqohemi, janë automjetet, njësitë tona të zjarrfikësve, kanë automjete nga vitet e 40-ta, 50-ta, diçka që ka mbetur nga sistemi i vjetër, të cilat i përmirësojnë dhe mundohen me to të bëjnë sa më shumë punë”, deklaroi Dushica Perishiq, drejtoreshë ekzekutive e BNjVL-së.
Përveç kësaj, zjarrfikësit nuk kanë çizme e veshje të reja adekuate për punë. Sipas një studimi të vitit 2024, të Institutit Kombëtar për Standarde dhe Teknologji (NIST), janë zbuluar fakte shqetësuese lidhur me veshjet mbrojtëse – të njohura si turnout gear – që përdoren nga zjarrfikësit.
Ky kërkim ka zbuluar se tekstilet në këtë veshje shpesh përmbajnë kimikate të lidhura me rritje të rrezikut për kancer dhe efekte të tjera shëndetësore.
Edhe më shqetësues është fakti se NIST ka zbuluar që këto kimikate lirohen në sasi më të mëdha kur veshja dëmtohet nga përdorimi për kohë më të gjatë.