Ndikimi i inteligjencës po rrezikon profesionet moderne në RMV
Inteligjenca Artificiale po zhvillohet me një ritëm shumë të shpejtë dhe po ndikon fuqishëm në tregun e punës, sidomos në profesionet kreative dhe teknologjike.
Sot, shumë detyra që dikur kërkonin orë të tëra pune nga specialistë të ndryshëm, mund të realizohen brenda pak sekondash nga programe të avancuara si Chat GPT dhe sisteme të tjera të Inteligjencës Artificiale.
Ky zhvillim ka sjellë përfitime të mëdha për njerëzit dhe bizneset, por njëkohësisht ka krijuar edhe frikë për të ardhmen e shumë profesioneve.
Një nga fushat që po ndikohet më shumë në Maqedoni është teknologjia informative (IT). Në të kaluarën, programuesit dhe zhvilluesit e softuerëve kalonin shumë kohë duke shkruar kode, duke testuar programe dhe duke zgjidhur gabime teknike. Sot, Inteligjenca Artificiale është në gjendje të krijojë kode të plota, të ndërtojë projekte të ndryshme dhe të japë zgjidhje teknike brenda pak sekondash. Shumë kompani tashmë përdorin IA për të automatizuar punë që më parë kryheshin nga ekipe të tëra programuesish. Kjo e bën punën më të shpejtë dhe më ekonomike, por njëkohësisht zvogëlon nevojën për punëtorë në disa pozita të caktuara.
Edhe fusha e dizajnit grafik po përballet me ndryshime të mëdha. Programet me Inteligjencë Artificiale mund të krijojnë logo, postera, ilustrime dhe dizajne profesionale vetëm nga disa udhëzime të thjeshta. Punë që dikur kërkonin kreativitet të lartë dhe shumë orë pune nga dizajnerët grafikë, tani mund të realizohen automatikisht nga IA. Kjo ka bërë që shumë njerëz të zgjedhin përdorimin e teknologjisë në vend të punësimit të profesionistëve, pasi është më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme.
Tringa Shatmani, programere, tha për gazetën KOHA se, shumë persona po hasin vështirësi në gjetjen e punës. “Mendoj se sot shumë persona po hasin vështirësi në gjetjen e punës në këtë drejtim, pasi inteligjenca artificiale po ndikon gjithnjë e më shumë në tregun e punës. Shumë kompani të mëdha po automatizojnë procese dhe në disa raste po zvogëlojnë numrin e punëtorëve, sepse disa detyra tashmë kryhen nga teknologjia”, u shpreh ajo.
Shatmani shtoi se, kjo nuk do të thotë se profesioni i programerit po humbet vlerën por përkundrazi, po kërkohen aftësi të reja, përshtatje dhe njohuri më të avancuara për të ecur me kohën. Sfidat janë të mëdha, por teknologjia mbetet një mundësi për zhvillim dhe inovacion. Një ndikim i madh po shihet edhe në arkitekturë dhe dizajn të enterierit. Sot, njerëzit mund t’i dërgojnë IA-së një fotografi të shtëpisë ose dhomës dhe brenda pak sekondash të marrin ide për arredim, plane dhe modele moderne të hapësirës. Inteligjenca Artificiale mund të propozojë ngjyra, mobilie dhe dizajne pa pasur nevojë për shumë ndërhyrje nga arkitektët.
Megjithatë, IA ende nuk mund ta zëvendësojë plotësisht kreativitetin dhe mendimin njerëzor. Ajo mund të ndihmojë me ide dhe zgjidhje të shpejta, por njeriu mbetet i rëndësishëm në marrjen e vendimeve dhe krijimin e ideve origjinale.