Ndeshja Shkëndija-Qerabag në Shkup – Apele të jemi shembull i një tifozërie të qytetëruar
Shkëndija do të zbresë sonte në fushën e blertë për ta vazhduar ëndrrën evropiane. Ekipi shqiptar do të luajë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa do ta presë në Shkup ekipin Qarabag FK në ora 20:00.
Kuqezinjtë janë ekipi i vetëm shqiptar që shkuan në këtë fazë të garave, ndërsa ata e synojnë mrekullinë dhe historinë – kualifikimin në fazën e ligës së Championsit, një gjë të cilën nuk e kishte arritur paraprakisht asnjë ekip shqiptar.
Pas thirrjeve ksenofobe dhe nacionaliste, anti shqiptare nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, apele që ndeshja e sotme të kalojë e qetë, pa fyerje e sharje. Artisti shqiptarë nga Tetova Hasim Memishi Sopi me një postim në rrjetet sociale bënë thirrje që sonte të tregojmë se jemi shembull i një tifozërie të qytetëruar, që di të festojë dhe të mbështesë ekipin pa cenuar askënd tjetër.
“Sporti është festë, pasion, bashkim, emocion. Sonte do të jemi me dhjetëra mijëra në Shkup; duhet të bëjmë tifo ashtu siç na ka hije neve kuq e zinjve. Shkëndija ka nevojë për mbështetje pasionante dhe këtë duhet ta bëjmë sonte, duke mbështetur ekipin në maksimum. Shmangni gjuhën fyese, raciste apo diskriminuese. Shkëndija meriton të futet në grupe dhe këtë mund t’ia japim vetëm nëse bëjmë tifo dhe u japim zemër futbollistëve. Le të tregojmë se jemi shembull i një tifozërie të qytetëruar, që di të festojë dhe të mbështesë ekipin pa cenuar askënd tjetër”, shkruan artisti Hasim Memishi Sopi në rrjetin e tij personal. Duke përfunduar me fjalinë “Shihemi te vendi”.