Mucunski, Ahmetit: Badenteri nuk është mekanizëm që përdoret në formimin e Qeverisë
Ministri i MPJ-së, Timço Mucunski sot ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që qeveria të formohet me Badenter.
Ai tha se Ahmeti jeton në një folklor politik të para 20-vjetëve.
“Ndoshta thellë brenda vetes e di se të gjitha këto gjëra për të cilat flet janë joreale, por qartazi ndjehet se hapësira e tij politike është ngushtuar dhe nuk ka temë tjetër për të cilën mund të diskutojë. Unë nuk besoj se në këtë shtet ka ndonjë të ri maqedonas, shqiptar, turk, rom, vllah, i cili beson në të gjitha këto gjëra. E di që qytetarët tanë presin që ne të sigurojmë kushte më të mira për standardin e jetesës. Ky folklor politik është folklor që vjen nga një periudhë para 20, madje edhe më shumë se 20 vjetësh, por mungesa e kreativitetit dhe vizionit është arsyeja pse BDI është në opozitë. Dhe nga kjo retorikë që vjen nga zoti Ahmeti, ajo që për mua bëhet gjithnjë e më e qartë është se BDI edhe për një periudhë më të gjatë me gjasë do të duhet të mbetet në opozitë”, theksoi Mucunski në intervistë për emisionin “360 Gradë”.
Mucunski tha se është e padiskutueshme që “Badenteri” është pjesë e rendit tonë kushtetues-juridik, por njëkohësisht nuk është mekanizëm që përdoret për zgjedhjen e Qeverisë apo për votim në Gjykatën Kushtetuese.