MSH me plan për parandalim të pasojave nga i nxehti, të sëmurët, moshuarit dhe shtatëzënat në shtëpi
Ministria e Shëndetësisë aktivizon fazën 3 të Planit për Parandalimin e Pasojave të Valëve të Nxehta
Duke nisur nga data 4 korrik 2025, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur aktivizimin e fazës 3 të Planit të Veprimit për Parandalimin e Pasojave të Valëve të Nxehta në Shëndetin e Popullsisë 2025–2030, e cila do të zgjasë deri më 8 korrik. Ky vendim u miratua nga Qeveria pas propozimit të Ministrisë, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve gjatë periudhës së temperaturave ekstreme.
Në kuadër të kësaj faze, janë miratuar masa të rëndësishme mbrojtëse, duke përfshirë përjashtimin nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, përveç atyre që punojnë në sektorë kritikë si shëndetësia, policia, ushtria, transporti dhe energjia. Gjithashtu, rekomandohet shtyrja e orarit të punës gjatë periudhës më kritike të ditës (11:00–17:00) për punonjësit që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj nxehtësisë, si dhe përdorimi i punës në distancë, orare fleksibël ose punë me turne, aty ku është e mundur.
Punëdhënësit janë të detyruar të krijojnë kushte pune me temperaturë deri në 25°C, sipas planeve të veprimit, për të siguruar një ambient sa më të sigurtë për punëtorët. Institucionet shëndetësore, ato për kujdesin e të moshuarve dhe institucionet arsimore janë urdhëruar të aktivizojnë planet e emergjencës dhe të zbatojnë protokollet përkatëse për të parandaluar pasojat e valëve të nxehta.
Ministria e Shëndetësisë thekson se do të vazhdojë informimin e rregullt dhe zbatimin e masave në bashkëpunim me institucionet kompetente, për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Ky paralajmërim vjen në kohën kur Europa po përballet me një valë të nxehti të paprecedentë, me temperatura të larta në Portugali, Spanjë, Itali, Kroaci, si dhe në vende të tjera si Franca, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra. Serbia regjistroi temperaturën më të lartë historike që nga shekulli i 19-të, ndërsa Sllovenia përjetoi ditën më të nxehtë të qershorit ndonjëherë.
Qytetarët këshillohen të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit, duke ndjekur rekomandimet për të mbrojtur shëndetin në këto kushte ekstreme.