MPB: Sekuestrohen ekstazi, marihuanë dhe kërpudha halucinogjene në një bodrum të braktisur në Aerodrom të Shkupit
Një sasi e konsiderueshme e llojeve të ndryshme të narkotikëve është gjetur në një bodrum të braktisur në një ndërtesë banimi në komunën e Aerodromit në Shkup, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) .
Sipas MPB-së, aksioni është realizuar më 8 korrik nga zyrtarët policorë të Njësisë për Luftimin e Tregtisë së Paligjshme pranë Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Shkup, pas masave operative të ndërmarra paraprakisht.
Gjatë kontrollit në bodrumin e braktisur janë gjetur një substancë e bardhë në formë gungash, kërpudha halucinogjene, një qese me një sasi të madhe tabletash ekstazi, marihuanë, si dhe tre peshore digjitale.
Nga policia bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa pas përfundimit të procedurave do të parashtrohet kallëzimi përkatës.