MPB: Disa shkolla në Shkup dhe Kumanovë kanë marrë pasdite njoftime për bomba
Disa shkolla fillore në Shkup dhe Kumanovë sot kanë marrë njoftime për vendosje bombash, informon Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot (28.10.2025) rreth orës 18:00 në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë është raportuar se në adresat elektronike të disa shkollave fillore kanë arritur mesazhe për vendosje të mjeteve shpërthyese nëpër shkolla. Aktualisht po kryhen kontrolle nga ana e zyrtarëve policorë,”thonë nga MPB.
Kreu i Sektorit për Arsim pranë Komunës së Kumanovës, Aleksandar Jovanoviq, informoi se të gjithë nxënësit janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
“Njoftimi për bombë është dërguar përmes postës elektronike, pak pas orës 17:00. Nga shkollat kanë thirrur policinë, e cila ka arritur shumë shpejt. Nxënësit janë evakuuar në mënyrë të sigurt. Tani mbetet që shërbimet të kontrollojnë situatën,” deklaroi Jovanoviq.
Sipas disa mediave, njoftime për bomba në Shkup kanë arritur në adresat elektronike të shkollave në Komunën e Aerodromit, pas çka të gjitha aktivitetet e pasdites në ato shkolla janë ndërprerë dhe fëmijët janë dërguar në shtëpi.