Ministria ia mori kompetencat e Odës së Stomatologëve, Oda: Vendim i nxituar dhe i pabazë
Licencat e reja për stomatologët apo vazhdimi i atyre të skaduara nga sot merren nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kjo e fundit ia mori kompetencat Odës së Stomatologëve.
Kreu i Odës së Stomatologëve Marijan Denkovski theksoi se një ankesë nga opoenetët e tij brenda Odës ka ngritur indicet e Ministrisë kinse janë bërë manipulime financiare dhe si pasojnë janë ngrirë aktivitet edhe për trajnime. Denkovski tha se janë kryer disa kontrolle nga Inspektorati i Ministrisë dhe nga Policia Financiare, por sipas tij nuk janë gjetur parregullsi, duke vlerësuar se nisma e ministrit është e nxituar dhe e pabazë.
“Ka pasur ankesë se Oda ka dhënë para të asaj shoqate, pa kinse ajo shoqatë mua më ka paguar, kinse larje parash. Siç thonë se shoqata nuk është e tija por Oda i ka dhënë para asaj Shoqate dhe shoqata më ka dhënë kinse mua dhe ja për fat të keq. Ekzistojnë dokumente, këtu janë se Oda jo vetëm asaj shoqate por asnjërës tjetër nuk i ka dhënë sepse Oda nuk e ka tagrin tu jep shoqatave, por t’ju merr. Faturat që po tregoj janë që Oda u ka marrë shoqatave, një nga shtyllat e financimit të Odës”, tha Denkovski.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se vendimi është marrë mbi bazë faktesh, argumentesh dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve relevantë në proces.
“Vendimi është rezultat i një analize të gjatë dhe gjithëpërfshirëse nga disa ekspertë. Kujtojmë se këtij procesi i ka paraprirë një masë e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e ndjekur më pas nga një vendim përfundimtar i së njëjtës institucion me të cilin ndalohej zbatimi i akteve dhe veprimeve individuale. Për më tepër, pavarësisht masës së përkohshme, Oda ka vazhduar me edukimin e vazhdueshëm. Paralelisht, në mbështetje të këtij vendimi është edhe raporti i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Për këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë kishte formuar dy komisione për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së Odës dhe në të dyja rastet janë konstatuar parregullsi, për të cilat është dhënë një afat ligjor për korrigjimin e tyre, por brenda afateve ligjore nuk është vepruar nga Oda e Stomatologëve”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ministria theksuan se pas mbikëqyrjes së kryer nga komisioni i parë, i formuar në vitin 2024, nuk është vepruar fare sipas rekomandimeve, pra janë plotësisht të pavërteta pretendimet se komisionet “nuk kanë konstatuar parregullsi në asnjë segment të punës së Odës”.
“Ndërkohë, komisioni i dytë tashmë ka dhënë udhëzime të qarta për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me parregullsitë dhe mangësitë e konstatuara, si dhe propozime për veprimet që duhet të ndërmerren. Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar, pas shqyrtimit të përmbajtjes së raporteve dhe dokumentacionit të dorëzuar, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 15.05.2024, ministri vendosi që përkohësisht të marrë përsipër kompetencat për licencim, deri në vendosjen e një sistemi që do të funksionojë në mënyrë ligjore, transparente dhe profesionale”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 2.850 dentistë të licencuar.