Mickoski shpall fitore në 30 komuna: “20 vite kemi pritur për fitoren në Strumicë”
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet lokale, duke theksuar se opozita ka arritur një rezultat historik me fitore në mbi 30 komuna që në raundin e parë, përfshirë edhe bastionin tradicional të LSDM-së – Strumicën.
“Fitore në mbi tridhjetë komuna që në raundin e parë. Diferenca është dy me një, diku edhe tre me një, madje edhe më e madhe. Fituam edhe në komuna ku LSDM kishte kryetarë të vet. Fituam bindshëm në Strumicë — për këtë ditë kemi pritur 20 vjet,” deklaroi Mickoski në fjalimin para simpatizantëve në Shkup.
Ai përmendi fitoret në një sërë komunash, përfshirë Manastirin, Prilepin, Shtipin, Kavadarcin, Gjevgjelinë, Sveti Nikollen, Ohërin, Karbinci, Demir Hisarin, Novacin, Butelin, Gjorçe Petrovin, Gazi Babën, Kisella Vodën, Ilindenin, Petrovocin, Jegunovcën, Velesin, Radovishin dhe Resnjën.
Mickoski tha se edhe në Shkup, kandidati i opozitës, Orce Gjorgjievski, ka epërsi të madhe dhe pritet të fitojë në raundin e dytë, ndërsa në Karposh “trendi i ndryshimit është i qartë”.
Në pjesën e dytë të fjalimit, ai dërgoi edhe një mesazh për BDI-në dhe liderin e saj, Ali Ahmeti.
“Kur Ali Ahmeti rrihte gjoksin se po ndërron kryeministra, i thashë: prit, do të befasohesh. Ky është ai ditë. Këto zgjedhje janë mesazh se politikat e etnocentrizmit dhe nacionalizmit janë të mundura,” tha Mickoski.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që në raundin e dytë të dalin masivisht dhe të mos lejojnë ndarje apo kalkulime politike.
“Në këto zgjedhje nuk ka komuna të vogla apo të mëdha. Ka vetëm qytetarë që duan jetë me dinjitet dhe një Maqedoni që qëndron në këmbë. Ky është momenti për të qenë një – me zemër, me arsye dhe me dashuri për vendin tonë,” përfundoi Mickoski, duke theksuar se ndryshimi duhet të konfirmohet në raundin e dytë për ta “përmbyllur fitoren dhe për ta nisur një epokë të re të rendit dhe shpresës”.