Mickoski: RMV mund të hyjë në BE në 2027 – por pa të drejtë vote
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se ekziston mundësia që vendi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2027, por në një format të veçantë pa të drejtë vote. Sipas tij, ky skenar lidhet me një plan më të gjerë gjeopolitik dhe me iniciativën për paqe për Ukrainën.
Ai e bëri deklaratën në emisionin Samo intervju në TV Kanal 5, duke theksuar se në Bruksel po diskutohet gjithnjë e më shumë për një model integrimi të përshpejtuar për Ukrainën, me qëllim rindërtimin e saj pas përfundimit të luftës.
Sipas kryeministrit, për të shmangur trajtimin e pabarabartë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor po shqyrtohen disa skenarë që përfshijnë edhe vendet e rajonit. Njëri prej tyre parasheh anëtarësim të përbashkët në vitin 2027, por me kompetenca të kufizuara në procesin vendimmarrës.
Në këtë variant, Ukraina së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë do të merrnin pjesë në punën e institucioneve dhe organeve të BE-së, por pa të drejtë vote. Sipas tij, ky do të ishte një model kalimtar drejt anëtarësimit të plotë.
Ai theksoi se ekzistojnë dy kushte kryesore për këtë model: përafrimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe përparimi në sundimin e ligjit. Reformat në drejtësi dhe funksionimi i institucioneve mbeten faktorë vendimtarë për procesin.
Mickoski shtoi se një skenar i dytë parashikon përfshirjen edhe të vendeve të tjera të rajonit dhe më gjerë, si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia, duke reflektuar ndryshimet dinamike në rendin ndërkombëtar.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se supozon se edhe ato do të jenë pjesë e paketës së kushteve, pasi janë pranuar si obligim nga qeveria e mëparshme. Megjithatë, ai theksoi se qeveria do të punojë për zhbllokimin e eurointegrimeve pa pranuar marrëveshje të pafavorshme për vendin.
Kryeministri gjithashtu kritikoi opozitën dhe tha se konsensusi me liderin e SDSM, Venko Filipçe, është i vështirë për shkak të qëndrimeve të ndryshme për ndryshimet kushtetuese. Ai ritheksoi se integrimi evropian do të vazhdojë vetëm nëse sigurohen garanci për të drejtat e maqedonasve në Bullgari dhe nëse shmangen bllokadat e reja bilaterale në të ardhmen.