Mickoski: Nëse çmimi i naftës rritet shumë, qeveria do të ndërhyjë me uljen e akcizave
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria është e gatshme të ndërhyjë me masa fiskale nëse çmimet e naftës në tregjet botërore rriten ndjeshëm në ditët në vijim.
Nga Shtipi, ai tha se tensionet në Lindjen e Mesme dhe luhatjet në tregjet globale të energjisë mund të krijojnë presion mbi çmimet e derivateve të naftës edhe në vend.
Sipas Mickoskit, nëse çmimi i naftës rritet ndjeshëm, qeveria do të shqyrtojë mundësinë e uljes së akcizave ose të taksave për të zbutur goditjen ndaj standardit të qytetarëve.
“Është e mundur që të ketë rritje të çmimeve të energjensëve, veçanërisht të naftës. Në koordinim me Ministrinë e Financave do të reagojmë, ndoshta edhe me uljen e akcizave për të zbutur ndikimin te qytetarët”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se qeveria po ndjek nga afër zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe se, në rast të një rritjeje të fortë të çmimeve të naftës, do të ndërmerren masa për të amortizuar ndikimin ekonomik te qytetarët dhe bizneset.