Mickoski në Samitin për Zgjerimin e BE-së në Bruksel: Zgjerimi është imperativ strategjik për Evropën
Kryeministri Hristijan Mickoski do të marrë pjesë pasditen e sotme në Samitin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian që po mbahet në Bruksel, organizuar nga televizioni “Euronews”. Samiti është konceptuar si një ngjarje ku përfaqësues të lartë të BE-së dhe vendeve kandidate do të diskutojnë për të ardhmen e integrimit evropian.
Ky është samiti i parë i këtij lloji që transmetohet drejtpërdrejt, ku politikëbërës, ekspertë dhe liderë do të debatojnë mbi pyetjen kyçe: A do të zgjerohet Bashkimi Evropian dhe do të vazhdojë të zhvillohet, apo do të rrezikojë të mbetet në vendnumëro?
Në njoftimin për ngjarjen theksohet se lufta në kufijtë e BE-së dhe aspiratat demokratike në fqinjësinë e saj e kanë kthyer zgjerimin në diçka më shumë se politikë – tashmë konsiderohet imperativ strategjik për të ardhmen e Evropës.
Samiti synon të vlerësojë nëse horizonti i zgjerimit deri në vitin 2030 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor është real apo simbolik, si dhe çfarë do të nënkuptonte një integrim më i thellë për demokracinë, ekonominë dhe autonominë strategjike të BE-së.
Në njoftim shtrohen edhe pyetjet: A është BE-ja gati të bëhet më e madhe dhe më e larmishme? dhe A mund t’i përmbushë premtimet e saj duke ruajtur njëkohësisht vlerat themelore?
Përveç Mickoskit, në Samit pritet të marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentët e Moldavisë, Serbisë dhe Ukrainës – Maia Sandu, Aleksandar Vuçiq dhe Volodymyr Zelensky – si dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Edi Rama dhe Milojko Spajiq. Të pranishëm do të jenë gjithashtu komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos, kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister dhe anëtari i këtij komiteti Marc Botenga.