
Mickoski: Ka nisur ndërtimi i gazsjellësit drejt Greqisë
“Gazsjellësi drejt Greqisë ka nisur të ndërtohet”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Mickoski theksoi se kanë trashëguar një projekt i cili për shtatë vite nuk ishte lëvizur aspak.
“Si Qeveri trashëguam një projekt që për shtatë vjet nuk ishte çuar përpara. Pas një vlerësimi, huadhënësit vendosën ta ndërprisnin atë, pasi qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së kishte përgatitur një specifikim teknik që nuk i përmbushte kriteret e tyre. Ne e rifutuam me urgjencë në agjendë, e korrigjuam në bashkëpunim me drejtuesit e rinj të ‘Nomagas’, u përfundua dokumentacioni i tenderit, u nënshkrua kontrata me kompaninë zbatuese dhe aktualisht po zhvillohen punimet ndërtimore.
Shpresoj që shumë shpejt të gjithë bashkë do të shkojmë në vendin e ndërtimit për të festuar edhe një projekt tjetër me rëndësi për vendin tonë. Sepse ky gazsjellës është me rrjedhje dykahëshe, ndryshe nga ai që vjen nga Bullgaria, në pjesën e Zhidlivës – Kriva Pallankës. Ky është dykahësh. Dhe nëse – dhe shpresoj shumë shpejt – nis ndërtimi i interkonektorit verior me Serbinë, atëherë vendi ynë do të përfshihet në hartën e tranzitit të gazit dhe do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e gazit nga jugu – pra nga terminali në Aleksandropoli apo nga vende të tjera eksportuese si Azerbajxhani, Katari etj. – drejt Evropës Qendrore. Kjo do t’i japë Maqedonisë së Veriut rëndësi të veçantë gjeostrategjike. Ky është një nga qëllimet e mia personale që pres ta realizoj gjatë këtij mandati katërvjeçar”, u shpreh i vendosur Mickoski.