Mickoski ju bën thirrje për përgjegjësi morale drejtuesve në Gostivar
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që Prokuroria të veprojë pas materialeve të dorëzuara nga institucionet lidhur me situatën me ujin në Gostivar, ndërsa kërkoi përgjegjësi morale nga të gjithë drejtuesit e pushtetit lokal.
“Instituti i Shëndetit Publik e ka përfunduar pjesën që është në kompetencën e tij dhe materialet i janë dorëzuar Prokurorisë. Tani është radha e Prokurorisë të dalë me kualifikimin përkatës”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se Qeveria po vazhdon të furnizojë qytetarët e Gostivarit me ujë të pijshëm. Sipas tij, pasi dje u shpërndanë 50 mijë litra ujë të ambalazhuar, gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë edhe tre kamionë me mbi 60 mijë litra ujë.
Kryeministri theksoi se, sipas rekomandimeve të institucioneve kompetente, uji nga rrjeti publik nuk duhet të përdoret as për nevoja teknike dhe higjienike derisa të pastrohet sistemi.
“Tani është radha e NP ‘Ujësjellësi’ në Gostivar të fillojë pastrimin dhe klorimin e sistemit, që qytetarët brenda disa ditësh ta përdorin ujin të paktën për nevoja teknike”, u shpreh ai.
Në fund, Mickoski kërkoi përgjegjësi morale nga autoritetet lokale.
“Pres që nga kryetari i komunës e poshtë të gjithë të mbajnë një përgjegjësi morale, krahas asaj për të cilën do të vendosë Prokuroria”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë të ndihmojë Gostivarin me furnizim me ujë të pijshëm derisa situata të normalizohet.