Mickoski dënon ashpër brohoritjet antishqiptare
Kryeministri, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, dënoi ashpër brohoritjet në ndeshjen Maqedoni-Rumani në Kumanovë nga disa të pranishëm në sallë dhe theksoi se grupet e tifozëve duhet t’i mbështesin ekipet e tyre, pa mesazhe fyese dhe ksenofobike.
„Gjatë ditës së djeshme, organizatori që ishte Federata e Basketbollit si dhe Komuna e Kumanovës i dënuan brohoritjet dhe shpërthimet ksenofobike të disa personave në sallë. Për të qenë i sinqertë, ndërkohë që isha atje, fare nuk e vërejta këtë, sepse bëhej fjalë për një grup të vogël njerëzish. Megjithatë, dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë, së pari asaj që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, dhe pastaj të dërgoj një mesazh për të gjitha grupet e tifozëve që të bëjnë tifo në mënyrë sportive, ta mbështesin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë. Kjo është ajo që kjo Qeveri e mbështet, ndërsa gjithçka tjetër do të jetë objekt hetimi dhe sanksionimi, pa marrë parasysh nga cila anë vjen“, tha Mickoski.
„Edhe një herë dua të përsëris se absolutisht i dënoj brohoritjet ksenofobike dhe nacionaliste të disa individëve të cilët nuk u mbështetën nga asnjëri prej të pranishmëve në sallë“, porositi kryeministri Mickoski.