Mexhiti: Rrënimi i perandorisë kredi–kumar–zhvatje ka filluar!
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka theksuar se lufta kundër kredive të shpejta dhe industrisë së kumarit nuk ka qenë slogan elektoral, as deklaratë për tituj mediatikë, por një zotim, që sipas tij, tani po shndërrohet në veprim.
“Dhe ketë luftë do mundohen ta pengojnë disa grupe të fuqishme interesi. Nga nëntoka, nga krimi i organizuar dhe nga ata që pasurohen mbi borxhin, dëshpërimin dhe hallin e familjeve. Por ta kenë të qartë, kjo luftë nuk ndalet! Dhe nga ky premtim nuk tërhiqemi asnjë hap!”- ka shkruar Mexhiti në FB.
Ai shton se vendimi për heqjen e licencës së “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të saj është sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po merr fund, me çka po dëshmohet se institucionet më në fund po veprojnë kundër një sistemi që për vite të tëra ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka goditur mijëra familje.
“Zullumit po i vjen fundi. Sepse institucionet po veprojnë. Sepse shteti po iu përgjigjet atyre që kanë menduar se mund të sundojnë mbi hallin e njerëzve. Ashtu siç jemi zotuar, unë dhe VLEN do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të qytetarëve. Kundër çdo forme të zhvatjes financiare. Kundër varësisë nga kumari. Kundër çdo skeme që i fut njerëzit në borxhe, pasiguri dhe dëshpërim” ka përmbyllur Mexhiti